Deklarata e presidentit Milanoviq për Kosovën, një reagim i ashpër vjen edhe nga partia në pushtet e Kroacisë

Pas deklaratës së presidentit kroat, Zoran Milanoviq, në lidhje me Kosovën, një reagim i ashpër ka ardhur edhe nga partia në pushtet në Kroaci, Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ).

Sipas mediave të huaja, kjo parti ka kritikuar ashpër presidentin Milanoviq për deklaratën e tij se “Kosova u mor nga Serbia”.

Ai gjithashtu kishte thënë se Krimea nuk do të jetë më Ukrainë, andaj sipas tij, nuk duhet t’i dërgohen armë, sepse siç ka vlerësuar ai, kjo vetëm do të zgjaste luftën.

Në këtë drejtim, HDZ-ja thotë se nuk është problem për Milanoviqin të turpërohet dhe të debatojë me aleatët e Kroacisë, kur ai duhet të mbrojë presidentin rus Vladimir Putin.

“… Kur duhet të mbrojë Putinin, Millanoviq nuk e ka problem të turpërohet dhe të debatojë me aleatët e saj. Dhe të vegjlit ende e ndjekin atë pa diskutim…”, është shkruar në faqen e HDZ-së në Facebook.

Partia në fjalë ka komentuar edhe rreth disave në Kroaci që nuk shohin “asgjë të diskutueshme” në deklaratat e presidentit kroat.

“Por mos u shqetësoni, të njëjtit do të thonë nesër se janë miqtë më të mëdhenj të Kosovës dhe të popullit vëlla shqiptar”.