Viti 2015/ Fjalimi i Vjosa Osmanit para deputetëve pro Gjykatës Speciale

Presidentja Vjosa Osmani të premten që shkoi u tregua pothuajse indiferente ndaj rezolutës së Parlamentit të Shqipërisë kundër raportit të Dick Martyt duke thënë se nuk do t’i bëjë ndonjë përshëndetje speciale asaj rezolute të iniciuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë që e udhëheq Edi Rama për arsyen se presionin për Gjykatën Speciale e kishte bërë presidenti Thaçi.

Por, një video e vitit 2015 kur Kuvendi Kosovës po debatonte ndryshimet kushtetuese që do t’i hapnin rrugë krijimit të Dhomave të Specializuara dëshmon diçka tjetër. Vjosa Osmani, deputete e Lidhjes Demokratike më një fjalim pasionant kishte argumentuar pro ndryshimeve Kushtetuese për krijimin e Speciales. Brenda fjalimit 10 minutësh ajo kishte shteruar të gjitha argumentet dhe dijen e saj nga fusha e drejtësisë në favor të asaj që deputetet të votojnë pro. Osmani kishte thënë se nëse një gjë të tillë nuk e bënë Kosova do ta bëjë OKB me iniciativë të Rusisë. Ajo madje kishte sfiduar deputetët që të ” flasin me misionet e shteteve anëtare te KS OKB’ së” dhe të binden për këtë. Osmani madje e kishte përmendur ish-ambasadorin rus Vitali Churkin( tani i ndjerë) se po rrinte me “një këmbë” për ta bërë këtë. Osmani u thoshte deputetëve se as SHBA nuk do të mund ta ndalte një gjë të tillë dhe se gjithçka do të përfundonte me një tekst kompromisi. Osmani pastaj përmendte një varg gjykatash që i kishte krijuar OKB për të adresuar krimet e luftës gjithandej botës. Por, të premten që shkoi Presidentja fajin ia la krejtësisht Presidentit Thaçi.

“Ne nuk harrojmë sado që dikush mund ta ketë një dëshirë të tillë se kush insistonte më së shumti dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohej Gjykata Speciale para disa vitesh nuk e harrojmë sado që dikush mund të ketë një dëshirë të tillë”, tha ajo.Më poshtë mund ta gjeni të plotë fjalimin elokuent të deputetes Vjosa Osmani që tani shërben si Presidente e Kosovës.