Deklarata e Rugovës në vitin 1998: Vrasjet e veprimtarëve të LDK-së janë akte të Beogradit, UÇK reagoi kundër represionit serb

Prokuroria e Specializuar ka insistuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës e ka pasur target Lidhjen Demokratike të Kosovës. Pavarësisht se edhe Tribunali i Hagës e kishte rrëzuar këtë pretendim në rastet Limaj e Haradinaj, Prokuroria ka vazhduar të insistojë në këtë çështje.

Por, për vrasjen e veprimtarëve të LDK-së kishte folur vetë Kryetari i LDK-së, tashmë i ndjeri Ibrahim Rugova, në vitin 1998.

Ai në një konferencë për media, më 8 maj 1998, kishte deklaruar se vrasjet e veprimtarëve të LDK-së janë akte të qëllimshme të Beogradit.

“Rugova e konsideroi dhunën dhe vrasjen e veprimtarëve politikë dhe humanitar shqiptarë, veçanërisht atyre të LDK-së, si akte të qëllimshme të Beogradit me qëllim të eliminimit të lëvizjes politike në Kosovë. Ai kërkoi dërgimin urgjent të ndihmave humanitare ndërkombëtare në rajonet e izoluara, në të cilat, siç tha Rugova, forcat serbe nuk kanë lejuar që ndihma me artikuj ushqimorë dhe medikamente të kalojë për banorët vendas“, thuhet në një raportim ATA-s.

Pak muaj më vonë, më 31 tetor 1998, presidenti Ibrahim Rugova e kishte mbajtur një takim me gazetarët. Për këtë takim, kishte raportuar edhe gazeta “Bujku”.

Ibrahim Rugova kishte folur edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai kishte rrëzuar pretendimet dhe insinuatat se ka përçarje në mesin e popullit.

“Nuk ka përçarje mes popullit tonë. Grupet e armatosura të UÇK-së dhe patriotët lokalë janë njerëz që kanë dashur të reagojnë kundër represionit dhe okupimit dhjetëvjeçar. Serbia ka imponuar një zgjidhje ushtarake“, kishte deklaruar presidenti Rugova.