Delegacioni rus ankohet tek Rama që ia dha fjalën të parit Zelenskyt – Kjo është përgjigja e Kryeministrit të Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është duke drejtuar takimin e sotëm të Këshillit të Sigurimit. Rama në fjalën e tij ka njoftuar me rendin e ditës, duke treguar se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do t’iu drejtohet anëtarëve të Këshillit të Sigurimit i pari.

Për një gjë të tillë ka shprehur mospajtim Rusia, duke marrë fjalën dhe duke pyetur kryeministrin Rama se ku është bazuar për t’ia dhënë fjalën presidentit të Ukrainës.

Rama ka thënë se një vendim të tillë e ka marrë mbi bazën e praktikës së ndërtuar në Këshill të Sigurimit, duke thënë se Zelensky edhe herë tjetër i është drejtuar Këshillit të Sigurimit.

“Dua t’i njoftojë kolegët tonë rusë, që ky s’është një operacion special i Presidencës së Shqipërisë, por është vazhdim një vendim i marrë mbi bazën e praktikës së vendosur”, ka thënë Rama, duke shtuar se është në pajtim me udhëzimet e Kombeve të Bashkuara.