Delta po rrezikon mbylljen, asnjë hap nga Ministria e Shëndetësisë

Britania e Madhe, SHBA-të dhe Evropa janë përfshirë nga një alarm i rritjes së numrit të infektimeve më variantin Delta të Covid 19, i cili për herë të parë u zbulua në Indi në fund të vitit që shkoi. Ky variant është konstatuar se transmetohet shumë shpejt e në veçanti tek moshat më të reja.

Sipas një statistike të Universitetit “John Hopkins”, të publikuar tri ditë më parë, rastet me Delta në Britani të Madhe kanë shkuar deri në rreth 180 mijë, në SHBA rreth 30 mijë, afër 7 mijë në Gjermani, e rreth 5 mijë në Itali, pastaj rreth 4 mijë gjegjësisht 3 mijë në Belgjikë, Francë, Portugali, Spanjë.

Në listën e këtij hulumtimi gjendet edhe Kosova me dy raste të raportuara, por numri në vendin tonë është më i madh me këtë variant. Sipas një deklarimit të Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia nga tashmë nja 80 % të rasteve të reja në Kosovë janë me variantin Delta.

Por, ndonëse varianti Delta po depërton shpejt në Kosovë, sikur që po ndodhë edhe nëpër Evropa, vaksinimi po shkon shumë ngadalë dhe ka një frikë se vjeshta do ta gjejë Kosovën keq. Një fushatë tejet pasive për vaksinim, me vetëm disa postime në Facebook nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, apo ndonjë deklarim i rrallë qeveritar janë format e vetme të vetëdijesimit që janë aplikuar nga ministri që e drejton Arben Vitia.

Qeveria Kurti kishte premtuar se deri në fund të vitit do të vaksinohen 60 për qind e popullatës. Megjithatë, tash e disa muaj që ka nisur vaksinimi shifra nuk ka prekur ende 20 % të popullatës dhe nuk është paralajmëruar ndonjë fushatë ndryshe vaksinimi masiv. Deri me datën 31 korrik në Kosovë janë vaksinuar me dozën e dytë vetëm rreth 146 mijë qytetarë.

Evropa dhe shtetet tjera, që po përballen me rritje rapide të numrit të te infektuarve më variantin Delta, kanë paralajmëruar shtrëngim masash nëse ky trend vazhdon. Një përhapje e madhe e rasteve edhe në Kosovë, nga mungesa e vaksinimit masiv do të nënkuptonte masa të reja të mbylljes që do të ishin një goditje e radhës për ekonominë e lënduar të vendit nga bllokadat disa mujore. /Lajmi.net/