Dënohet imami i një fshati në Kamenicë, kishte më shumë se 200 persona në xhami

Aktualisht në vendin tonë që nga 7 prilli kanë hyrë në fuqi masa të reja, të cilat qeveria i ka marrë për të parandaluar përhapjen e Covid-19. Ndërsa përvec mbylljes së gastronomisë për 12 ditë, janë ndaluar edhe tubimet me më shumë se 10 persona.

Ndërsa një gjobë prej 200 eurosh i është shqiptuar imamit të xhamisë në fshatin Roganë të komunës së Kamenicës, Besir Kryeziu.

Siç bëhet e ditur në gjobën që  ka shqiptuar Policia e Kosovës, imami është dënuar pasi që brenda xhamisë ishin më shumë se 100 persona, ndërsa në tërësi në faljen e drekës, apo të xhumas kanë qenë 200 persona.

Për këtë ka reguar vet imami Besir Kryeziu duke e quajtur këtë veprim me standarde të dyfishta.

“Të nderuar xhematlinj, sot ndodhi një akt i shëmtuar nga policia e Kamenicës.

Unë si imam i fshatit Roganë, u dënova sot për  shkak se kisha në xhami më shumë se 10 xhematlinj.

Në xhami me dy standarde, në zgjedhje s’vlejnë masat, nuk vlen as pandemia.

Deri dje, nuk kishte kurrfarë masash, ani pse virusi ishte prezent.

Unë i kam njoftuar xhematin, andaj edhe nuk mbaj përgjegjësi.Jam këtu për të falur namazin, jo për ta ruajtur derën e xhamisë se kush hyn e del!”, ka shkruar në adresë të IndeksOnline, imami Kryeziu.