Tragjike: Vdes Feim Bytyqi, pasi u godit nga degët e lisit në bjeshkë

Familja Bytyqi nga Istogu mori një lajm të hidhur, pasi kryefamiljari i tyre humbi jetën tragjikisht duke prerë dru në mal. Rasti ka ndodhur pasditen e së shtunës, teksa vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor, raporton Gazeta Sinjali.

I ndjeri, Feim Bytyqi kishte shkuar në mal për të prerë dru bashkë me një person tjetër, gjatë rrëzimit të një lisi janë goditur nga degët e lisit dhe si pasojë kanë marrë lëndime trupore, ku fatkeqësisht i ndjeri nuk ka mundur të ju bëjë ballë plagëve.

Në lidhje me rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse, me ç’rast mjeku që doli në vendin e ngjarjes bashkë me ekipin e tij pas kontrollit të trupit, konstatoi se i ndjeri ishte pa shenja jete.

Pas përfundimit të ekzaminimeve në vendin e ngjarjes, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është tërhequr nga lokacioni ku u gjet dhe më pas është dërguar në IML për obduksion.

Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës.

“Raportohet se dy viktimat meshkuj kosovar, deri sa kanë qenë duke pre dru në pyll, gjatë rrëzimit të një lisi, janë goditur nga degët e lisit dhe si pasoj të njëjtit kanë pësuar lëndime trupore. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet përkatës, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e njërit prej viktimave, ndërsa tjetri dërgohet në spitalin e Pejës për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion”, deklaron Policia.