Deputetët mbajnë 1 minutë heshtje për masakrën e Srebrenicës, Lista Serbe lëshon sallën

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka nisur me një minutë heshtje në shenjë nderimi për të gjitha viktimat e masakrës së Srebrenicës.

Megjithatë, derisa deputetët po mbanin një minutë heshtje, nga salla e Kuvendit kanë dalë deputetët e Listës Serbe.

Për këtë ka reaguar edhe deputetja e LVV’së, Saranda Bogujevci.

Kujtojmë, që Gjenocidi i Srebrenicës ose Tragjedia e Bosnjës është një krim lufte i zbatuar në korrik të vitit 1995 në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u vranë më shumë se 8,000 boshnjakë myslimanë, kryesisht burra dhe djem të moshës 12 deri 77 vjet.

Gjenocidi është zbatuar në rajonin e Srebrenicës nga Ushtria e Republikës Serbe (VRS) nën udhëheqjen e gjeneralit Ratko Mlladiq, duke përfshirë njësinë paraushtarake “Skorpioni” (sq. Akrepat), e cila ishte pjesë e Ministrisë së punëve të brendshme të Serbisë,si dhe disa qindra vullnetarë grekë dhe rusë.

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka marrë vendimin që masakra e Srebrenicës të njihet si gjenocid (popullvrasje).