Deputeti i LDK-së paralajmëron padi për shpifje ndaj këshilltarit të Vjosa Osmanit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Xhavit Ukaj, ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj Faton Pecit, i cili është shef i kabinetit të kryetares së Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani.

Peci në emisionin Info Magazine në Klan Kosova ka deklaruar se Osmani është kërcënuar dhe fyer në mënyrën më të keqe nga Ukaj, gjatë një seance në Kuvend.

Me këtë rast Ukaj tha për Klan Kosova se në asnjë mënyrë nuk e kam përmend atë fjalë.

“Unë do të bëjë padi për shpifje ndaj këshilltarit Peci pasi që ai atë çka ka thënë ka gënjyer. I keni incizimet. Në asnjë mënyrë se kam përmend atë fjali që po e thotë Peci”.

Faton Peci – shef i kabinetit të kryeparlamentares Vjosa Osmani, ka thënë se deputeti Xhavit Ukaj ka përdorur gjuhë ofenduese dhe kërcënuese ndaj Kryetares së Kuvendit.

I pyetur rreth asaj që është raportuar nëpër media të shkruara “Ule gishtin se ta fus në b****”, në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka thënë se kjo është vetëm një pjesë e fjalëve fyese që Ukaj i ka përdorur ndaj Osmanit.