Deputeti përplaset me kryeshefin e Postës

Ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike që në rend dite kishte shqyrtimin e raportit të Auditimit të Postës, Telekomit të Kosovës dhe Ujësjellësit të Prishtinë.

Kryetari i këtij komisioni, Driton Selmanaj, tha se në mungesë të kuorumit nuk mund të mbahet mbledhja, sipas të cilit kjo po tregon se nuk po funksionon asgjë as brenda Kuvendit të Kosovës.

“Unë e kam pasur vetëm një informatë zyrtare prej deputetit Avdullah Hotit që s’është këtu, për të tjerët s’kam asnjë informatë. Kjo si rezultat po nxjerr që shumë çështje të rëndësishme siç është Posta, Telekomi, ujësjellësi Prishtina, për të cilat kemi çka të diskutojmë mjaft, sepse raporti i Zyrës Kombëtare të Auditorit është më se negativ për të gjithë këto institucione, por në mungesë të deputetëve ne jemi të detyruar me mbyll sot dhe po e shty takimin për të premten në orën 10:00. Do të provojmë maksimalisht që mos të shkojmë në pushim veror pa i kryer së paku edhe këto tri institucione. Ju kërkoj ndjesë që pritet kaq gjatë, por ky është realiteti”, tha Selmanaj, shkruan indeksonline.

Por ndaj kësaj deklarate ka reaguar kryeshefi i Postës, Sejdi Hoxha, i cili tha se nuk duhet të jepen paragjykime për raportin para se të diskutohet për të.

“Për hir të korrektësisë të kryetarit meqenëse nuk e diskutuam raportin e auditimit nuk është mirë më dhënë paragjykim para se me u diskutua në Komision”, tha Hoxha.

Ndërsa, reagimi i deputetit Selmanajt ishte i ashpër, duke i thënë se mund të flasë vetëm kur t’ua jap fjalën.

“Drejtor, veç kur t’ua jep fjalën unë, sepse unë i menaxhoj senet, s’e nuk jeni në Postë. Kështu që shihemi të premten”, tha Selmanaj.

Mbledhja e radhës për shqyrtimin e këtyre pikave sipas rendit të ditës u paralajmërua se do të mbahet të premten në orën 10:00.