Deputeti Syla: Në paçtë një njeri të ndershëm e patriot në VV, duhet të distancohen nga ky monstrum

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Gazmend Syla ka reaguar ndaj deklaratës së Shkëlzen Gashit, këshilltar i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime ndaj 1000 serbëve në Kosovë, shkruan Fokusi.info.

Syla ka thënë se këto deklarata janë të pafalshme dhe nuk tolerohen.

Reagimi i tij i plotë:

Familjarë dhe shokë të dëshmorëve. Invalid dhe ju që nuk kursyet asgjë për lirinë e vendit.

Në kohën kur ende plagët e luftës na kullojnë gjak; kur ende presim të pagjeturit; kur na qanë zemra për motrat tona të dhunuara; kur ende përballemi me agresion nga Serbia, Qeveria përmes puthadorëve të tij po na faturon krimet e luftës, akuza këto që vazhdimisht na ka bërë Serbia.

Në paçtë një njeri të ndershëm e patriot në VV, duhet të distancohen nga ky monstrum.
Përndryshe, ky është sulm direkt ndaj vlerave  të UÇK-së, familjarëve të dëshmorëve, veteranëve të luftës, grave të dhunuara dhe luftës së UÇK-së.

Kjo është e pafalshme. Kjo nuk tolerohet.