Deputetja e LVV-së thirrje Qeverisë dhe Kuvendit që të “marrin masa ndaj mediave”

Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, nëpërmjet një fjalimi skandaloz në Kuvend, ka kërkuar nga Kuvendi dhe Qeveria që të ndërmarrin masa ndaj mediave në Kosovë. Pasi sipas saj, në raportin e Parlamentit Evropian thuhet që “kohëve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media”.

Siç pretendon Pacolli në fjalën e saj në Kuvend, ky raport thotë se përmes investimeve të tilla private është rritur edhe mundësia e ndikimit në disa mediume kryesore në vend dhe në ato online.

Teksa ka përmendur si burim të fjalëve të saj këtë raport të Parlamentit Evropian, Pacolli ka kërkuar vëmendjen e Kuvendit dhe të Qeverisë për të marrë masa dhe për të kuptuar se çfarë po ndodh me funksionimin e mediave si dhe indetifikimin e pronësisë së mediave në Kosovë.

“Edhe si Kuvend edhe si qeveri duhet të marrim masa është se viteve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media, përmes të cilave është krijuar mundësia e ndërhyrjes dhe ndikimit në disa medium kryesore dhe ato online, të cilat po përdoren për qëllime biznesore dhe shantazh politik. Pra, këtu kërkojmë vëmendjen e Kuvendit dhe Qeverisë që të marrin masa, dhe të kuptojmë më shumë se çfarë po ndodhë me funksionimin e medias, me transparencën dhe identifikimin e pronësisë së mediumeve”, tha Pacolli.

Kujtojmë se Qeveria Kurti, është ndër qeveritë më jotransparente që mediat kanë hasur ndonjëherë. Në shumë ministri, e në shumë figura që mbajnë poste udhëheqëse në shtetin e Kosovës, mediat më prestigjioze në vend, kanë ankesa të vazhdueshme se nuk marrin përgjigje për çështjet që kërkojnë.