Deputetja e PDK-së: Kurti, Vitia dhe Sveçla duhet të japin përgjegjësi për vdekjen tragjike të 26 vjeçarit

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra ka reaguar pas vdekjes tragjike të 26 vjecarit në karantinën në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, shkruan Fokusi.info.

Ajo ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u.d ministri i MPB-së Xhelal Sveçla dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia duhet të japin përgjegjësi dhe sqarime për vdekjen e 26 vjeçarit nga Gjilani.

Deliu- Kodra ka thënë se nga informacionet deri më tani, ky i ri nga Gjilani ka ardhur nga diaspora dhe ka kërkuar të shkojë në vetizolim mirëpo nuk i është lejuar dhe është dërguar detyrueshëm në karantinë.

Reagimi:

“Kryeministri i shkarkuar Albin Kurti dhe dy vartësit e tij, ministri Arben Vitia dhe u.d ministri Xhelal Sfeçla duhet të japin përgjegjësi dhe sqarime para gjithë qytetarëve për vdekjen tragjike të 26 vjeçarit nga Gjilani sot tek Konviktet.

Sipas informacioneve të deritashme, djaloshi nga Gjilani i cili ka ardhur nga diaspora, ka kërkuar që të shkojë në vetizolim, ndërsa nuk është lejuar dhe është dërguar detyrueshëm në karantinë.

Nga ana tjetër, qeveria Kurti, me vendime psikiatrike ka liruar nga karantina aktivistë e militantë të Vetëvendosjes.

Ku është morali i kësaj qeverie?

Ku është barazia e drejtësia që e proklamuan?

Nga shkelës të Kushtetutës përfunduan edhe në shkelës të drejtave të njeriut!”/Fokusi.info/