Dëshmitari i Masakrës së Dubravës: U arrestova si pjesëtar i UÇK-së, na quanin terroristë

Ish i burgosuri politik, Ylber Topalli, i cili poashtu ishte pjesë e grupit të parë që është stërvitur për luftë guerile në Shqipëri, i ftuar në një emision, mes tjerash ka folur edhe për arrestimin e tij si pjesëtar i UÇK-së.

Ai tha se në atë kohë ushtarët e UÇK-së quheshin terroristë.

“U arrestova si pjesëtar i Ushtirsë Çlirimtare të Kosovës, atëherë quheshin terroristë, kështu kam vazhduar, 24 orë kam qenë në Ferizaj, pastaj tri ditë të tjera në Gjilan, dhe prej Gjilanit na kanë dërguar në Gjykatën e Qarkut këtu në Prishtinë, për të dhënë intervistë”, potencoi ish i burgosuri politik.

Tutje Topalli tregoi se si janë marrë në pyetje dhe si janë kryer hetimet ndaj tyre.

“Danica Marinkoviç nuk ka marrë në pyetje, ajo i ka marrë vetëm deklaratat tona, të cilat duhej t’i jepnim para gjyqtarit hetues, hetimet kryesisht i kanë zhvillu tre inspektorë famëkeq, Nebojsha Gjorgjoviq, Radonvan Klariç dhe Ratko Duder”, bëri të ditur ai në emisionin n’Demos.

Mes tjerash dëshmitari i Masakrës së Dubravës tha se në duart e inspektorëve të lartpërmendur kanë rënë edhe tre heronj të tjerë.

“Këta kanë qenë inspektorët në duart e të cilëve kanë rënë tre heronj, Rexhep Bislimi, Cen Dugolli dhe Bilall Shala, të gjithë të vrarë në torturë, mizorisht, në burgun e Gjilanit. Ata kanë qenë në paraburgim në hetuesi, ndërsa të gjithë të burgosurit tjerë duke më përfshirë mua, të gjithë iu kemi nënshtruar torturave shtazarake, mizore, prej këtyre grupeve të hetuesve”, theksoi Topalli.