Dëshmitarja e mbrojtur thotë se kuptimi i dy degëve të vendosura mbi varr kanë kuptimin e identifikimit të varrit

Lidhur me procesin e zhvarrimit të një kufomë, për cka po flitet në seancën e së mërkurës në gjykimin e Salih Mustafës, dëshmitarja e shtatë deklaroi se degët e vendosura njëra mbi tjetrën në varr kanë kuptimin e identifikimit dhe në asnjë formë apo rrethanë nuk e kanë kuptimin e fshehjes apo mbulimit të një varri.

Paraprakisht, para kësaj deklarate, ajo vazhdoi përgjigjen në pyetje të prokurores Silvia D’ascoli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo ka deklaruar se pas përmbylljes së procesit të zhvarrimit, është kërkuar që të kthehet dheu në vendin e vet dhe e kanë lënë ashtu siç ka qenë.

Kurse, kur është pyetur për kufomën e dytë që u përmend, tha se atë ditë kur ka përfunduar zhvarrimi kufoma ka mbetur aty.

“Unë nuk e di se çka ka ndodh tutje, nuk kam ndonjë informacion, po e përsëris edhe njëherë se insistimi i familjarëve ka qenë që të mos preket, sepse nuk e dinë kush është”, ka thënë ajo.

Pasi prokuroria ka përfunduar marrjen në pyetje të dëshmitares W04676, me parashtrimin e pyetjeve ka vazhduar mbrojtësja e viktimave, Anni Pues.

Ajo tha se dëshmitarja ka përmendur disa degë drunjsh që ishin mbi dheun që u identifikua.

“Këto degë drunjsh, ju vet a kishit ndonjë shpjegim apo përshtypje se pse ato degë ishin aty. Për shembull, a ishin këto degë që ishin përdor për të mbuluar atë copë dhe aty, cila ishte përshtypja aty?”, ka pyetur ajo.

E sipas dëshmitares, këto degë të prera, të vendosura njëra mbi tjetrën, e kanë kuptimin e identifikimit dhe në asnjë formë apo rrethanë nuk e kanë kuptimin e fshehjes apo mbulimit të një varri.

“Sepse ka forma dhe mënyra tjera se qysh fshihen gjurmët dhe mbulohet një varr mos me identifiku. Këto dy degë e kishin kuptimin e identifikimit të kësaj varreze”, ka thënë dëshmitarja e shtatë.

Tutje, mbrojtësja e viktimave ka kërkuar të kuptoj se qebja me ngjyrë të kaltër të mbyllët që e përmendi gjatë përgjigjes në pyetje nga prokuroria, a ishte qebe e zakonshme dhe në çfarë kontesti përdoret zakonisht.

“Me siguri se do të marr kohë për të shpjeguar domethënien e qebes dhe kur mbulohet një kufomë me qebe dhe karakteristikat të një varri gjatë luftës dhe të një varri në situata normale. Në rastet e tilla, mbulohet kufoma për të mos ketë direkt dheun mbi fytyrë. Në rrethana normale nëse ki kohë të mjaftueshme për ta varros një viktimë”, ka thënë dëshmitarja.

Ajo tha se në rrethana të jashtëzakonshme kur nuk ke kohë dhe shpejt e shpejt duhet të kryhet një proces i varrimit, e hap një varr sa për ta mbuluar, po pa asnjë proces tjetër.

“Siç ka ndodh me varrezat gjatë kohës së luftës në Kosovë. Në rast të tillë, përshtypja ime është që varrimi kry nga dikush dhe kufoma është mbështjellë për të mos e lënë përmbi dhe, dhe e kanë futur në dhe, në atë thellësinë e cekët sepse nuk e ka asnjë gjysmë metre thellësia e varrit”, ka thënë dëshmitarja.

Sipas saj, zakonisht një varr në rrethana normale është identifikuar si për meshkuj dhe femra.

“Për meshkuj i bjen varësisht prej gjatësisë thellësia është deri në pjesën këtu, derisa për femra deri këtu, janë besytni që i takojnë një ceremonie të varrimit”, ka thënë dëshmitarja e shtatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitarja e shtatë në rastin e Salih Mustafës rrëfen për procesin e zhvarrimit, thotë se pranë një kufome u gjet edhe një kufomë tjetër.

Në seancën e së mërkurës në rastin e Salih Mustafës, dëshmitarja e shtatë Ë04676 deklaroi rreth një procesi të zhvarrimit, ku ndër të tjera tha se pranë një kufome është gjetur një kufomë tjetër.

Ajo ka deklaruar se kanë hipur në traktor dhe bashkë me familjarët e tjerë kanë shkuar direkt në Zllash, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Vendi ku kemi shku ka qenë një mal, jo shumë i shpeshtë, një mal i dendur dhe diku në thellësi të fshatit është ndal traktori dhe aty kemi zbrit, aty kam taku edhe persona të tjerë dhe baba i viktimës, thotë këtu është trupi i tina dhe këtu duhet ta marrin nga ky mal”, ka thënë dëshmitarja.

Tutje, dëshmitares i janë treguar disa fotografi, ku për njërën prej tyre tha se është bërë në fillim të procesit të zhvarrimit. Ajo tha se kur kanë shkuar aty, u është thënë që këtu supozohet që është varri i viktimës.

Për një fotografi tjetër tha se e përshkruan vendvarrimin, por se fotografia është bërë nga krahu i djathtë dhe tha se është vendi i njëjti si në fotografinë e parë.

Lidhur me fotografinë e tretë që iu tregua, dëshmitarja deklaroi se është i njëjti vendvarrim dhe në të është procesi i hapjes së varrit.

Prokurorja Silvia Dascoli e ka pyetur lidhur me thellësinë e varrin se a mund të shihet në fotografi

“Është lehtë e identifikume thellësia e varrit, nuk mundet me kanë ma shumë se 20 cm kjo thellësi, është lehtë e identifikueshme, për shkak të ndriçimit që e ka dielli që i bjen direkt dhe ajo thellësia e një varreze që nuk është si çdo varr tjetër kur të hapet në rrethana normale”, tha dëshmitarja.

Tutje, dëshmitarja ka deklaruar për një qebe që shihet në foto.

“Kjo qebja që ka qenë i mbulum viktima, është fillimi i procesit kur të hasësh në një trup, kur ta identifikon fillimisht, çfarë materiali, çfarë gjësende përreth kufomës dhe identifikimi i parë rreth viktimës, çka kemi identifiku, mbulesën që e ka pas përmbi”, tha dëshmitarja, duke konfirmuar se kufoma ka qenë e mbështjellur me një qebe.

Lidhur me foton tjetër që iu tregua, ajo ka deklaruar se është i njëjti vendvarrim dhe i njëjti proces, kur e kanë larguar qeben prej trupit të viktimës.

“Qebja e kaltërt e mbylltë ka qenë me të cilën kufoma ka qenë e mbulume dhe kur kanë fillu me hek qeben pjesë- pjesë është këput sepse është kalb, por pjesa dërrmuese e trupit ka qenë e mbulume me qebe. Kufoma ka qenë direkt në dhe, nuk ka qenë i mbështetur askund hiç, nuk ka pas pëfundi trupit të tij”, ka thënë ajo.

Sipas saj, në momentin kur është identifikuar komplet viktima, është kërkuar që të mos vazhdohet tutje me zbulimin e kufomës, pasi ishte edhe një person tjetër i varrosur afër tij.

“Sipas fotos, po du me ju orientu në foto, i bie ana e djathë sepse pjesa e qebes e mbetur ka qenë ende përfundi dheut, qeben nuk ke mujt komplet me hek se ka qenë nën dhe, ka qenë insistimi i të tjerëve që të mos groposet më shumë anash sepse ekziston edhe një trup tjetër”, ka thënë ajo.

Sa i përket një fotografie tjetër, ajo tha se është i njëjti vendvarrim, i njëjti proces i zhvarrimit të trupit të viktimës dhe janë pjesët e para të identifikimit dhe fotografitë e gjendjes së kufomës.

Ajo ka deklaruar se kufoma e dytë nuk është zhvarrosur atë ditë, kurse shtoi se nuk ka dijeni se çfarë ka ndodhur më vonë, sepse nuk e kanë ditur se kush është kufoma e dytë.

Në një fotografi tjetër që iu prezantua, dëshmitarja tha se në të është i njëjti proces i zhvarrimit dhe tërheqja e trupit të viktimës nga varri në qesen e plastikës që ka qenë e përgatitur.

“Ka qenë procesi i identifikimit të viktimës dhe personat që e kanë bërë identifikimit përmes pjesëve të rrobave të trupit të viktimës”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo tha se është një vrimë që askush nuk mund ta konstatoj nga është kjo vrimë, por është gjendja e trupit të viktimës.

Prokurorja tha se shihet një rreth i vizatuar aty me një vijë që ka një fjalë. Lidhur me këtë, kërkoi nga dëshmitarja të shpjegojë se çka tregon ajo.

“Një vrimë e cila është pa dhe e cila është marku si e çuditshme në trupin e një kufome, mirëpo për shkak që trupi i kufomës ka qenë në procesin e dekomposimit dhe është bukur vështirë me identifiku çka është kjo vrimë”, ka thënë dëshmitarja, raporton “Betimi për Drejtësi”.