Detarët e shpëtuar turq nga anija e rrëmbyer nisen për në Turqi

Ambasada e Turqisë në Gabon ka bërë të ditur se 3 anëtarët turq të ekuipazhit, të cilët i mbijetuan sulmit pirat ndaj anijes me flamur liberian, Mozart, janë nisur për në Turqi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përmes një postimi në Twitter, ambasada tha se anëtarët e ekuipazhit: Furkan Yaren, Ilhan Süha Tatlıgül dhe Bahadır Yeşilalan, u nisën për në Turqi nga Gaboni.

Ambasadorja turke Nilüfer Erdem Kaygısız ishte gjithashtu e pranishme në aeroport duke përcjellë anëtarët e ekuipazhit.

Të mbijetuarit e sulmit pirat pritet të arrijnë në Aeroportin e Stambollit të shtunën në ora 03:30 sipas kohës lokale.

Anëtarët turq të ekuipazhit janë në gjendje të mirë, bëri të ditur Ambasada Turke në kryeqytetin e Gabonit, Libreville.

Në sulmin pirat të javës së kaluar, 15 nga 19 anëtarët e ekuipazhit të anijes së mallrave u rrëmbyen, ndërsa një shtetas azerbajxhanas u vra.

Pas sulmit, anija Mozart u ankorua në Port-Gentil, por me vetëm tre nga anëtarët e ekuipazhit të mbijetuar në bord.

Të mërkurën, një kompani me seli në Stamboll e cila ofron shërbime të menaxhimit teknik për anijen, tha se të gjithë 15 anëtarët e ekuipazhit janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk janë të lënduar.

“Kompania ‘Boden Shipping’ komunikoi me anëtarët e ekuipazhit të anijes Mozart, e cila u rrëmbye nga Sao Tome më 23 janar 2021”, bëri të ditur kompania.