Dhuna ndaj turistëve spanjollë, Apeli merr vendimin për Kokëdhimën

Mihal Kokëdhima, i zoti i lokalit “Panorma”, tashmë i shembur nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit si ndërtim pa leje, është lënë në burg.

Gjykata e Apelit Vlorë, në seancën e sotme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” të dhënë nga shkalla e parë e gjyqësorit për 51-vjeçarin, i cili u arrestua pas dhunës së ushtruar ndaj disa turistëve spanjollë.

Kryefamiljari i grupit të turistëve të dhunuar rreth dy javë më parë në Porto Palermo të Himarës, është një biznesmen i njohur spanjoll dhe shumë i pasur.

Konflikti ndodhi pasi turistët pretendojnë për shërbim të keq dhe të vonuar, çka solli edhe tensionet me Mihal Kokëdhimën, i cili pas debatit me fjalë u hodh mbi makinën e tyre, duke bërë që të merret përpara xhamit për afro tre kilometra.

Eugenio Galdón rezulton është një biznesmen i fuqishëm në Spanjë dhe ka mbajtur edhe poste në qeverinë e kryeministrit Adolfo Suarez.

Galdón është një prej 200 njerëzve më të pasur në Spanjë me një pasuri e cila shkon rreth 300 milionë euro.

Sakaq Kokëdhima akuzohet për veprat penale “Kanosja”, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”./noa.al