Dialogu Kosovë-Serbi, palët do të takohen sërish këtë muaj

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, pas takimit të nivelit të lartë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbrëmë ka bërë të ditur se takime do të ketë sërish këtë muaj.

Borrell tha se emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do t’i ftojë sërish shefat e grupit të negociatorëve dhe ekspertët e tyre në Bruksel, së shpejti.

“Bisedimet duhet të vazhdojnë shpejt. Ne duhet të vazhdojmë që ta shtyjmë këtë proces përpara. E falënderoj Miroslav Lajçakun për punën e tij të rëndësishme. Ai do të ftojë kryenegociatorët dhe ekspertët në Bruksel shpejt”, tha Borrelli në këtë konferencë, duke iu referuar Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, po ashtu paralajmëroi edhe një takim të parë të Grupit të Përbashkët Monitorues për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ku Kosova përfaqësohet nga Agron Bajrami ndërsa Serbia nga kryenegociatori, Petar Petkoviq.

“Ai do të nis diskutimet në takimin inaugurues me Grupin e Përbashkët Monitorues që u krijua në Marrëveshjen e Ohrit. [Edhe ky grup] Do të takohet këtë muaj, dhe të shpresojmë se do të jemi në gjendje të shmangim një eskalim që mund të çojë në një krizë të re dhe të rrezikojë zbatimin e marrëveshjes”, deklaroi Borrell.

Sot u mbajt takimi mes kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me ndërmjetësimin e të dërguarit special për dialogun Kosovë-Serbi dhe shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell në të cilin u diskutua për Asociacionin dhe u miartua Deklarata për Personat e Zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.