PDK-ja anëtarësohet në Internacionalen Liberale

Sot, në Ottawa të Kanadasë, në mbledhjen e 206-të Komitetit Ekzekutiv të Internacionales Liberale (LI), Partia Demokratike e Kosovës është bërë anëtare me të drejta të plota e kësaj organizate.

Pas pranimit vitin e kaluar në LIBSEEN, ALDE dhe sot në Internacionalen Liberale, zyrtarisht, Partia Demokratike e Kosovës bëhet e vetmja parti nga Kosova e cila bëhet anëtare me të drejta të plota në të gjitha nivelet e organizatave më të mëdha politike – rajonale, evropiane dhe botërore.

Internacionalja Liberale është një organizatë e partive liberale dhe demokratike – e cila është themeluar në Oxford në vitin 1947. Aktualisht, Internacionalja Liberale – brenda vetes ka mbi 120 parti politike dhe organizata nga e gjithë bota.

Me këtë rast, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se anëtarësimi në Internacionalen Liberale, përveç që plotëson ciklin e ndërkombëtarizimit të PDK-së, fuqizon përkushtimin dhe vizionin e tyre për ndërtimin e një shoqërie ku liria individuale, mundësitë e barabarta dhe drejtësia për të gjithë, pa dallim, do të jenë vlerat themelore.

“Urime të gjithë kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe mbështetësve tanë ky lajm kaq i madh dhe i rëndësishëm. Besoni në Kosovë – Besoni në PDK!”, ka shkruar në “Facebook”kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.