Diga e Komanit, një ndër 10 më të lartat e këtij lloji në Europë

Investimet e 3 viteve të fundit në hidrocentralin e Komanit, arrijnë në disa miliardë lekë.

Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare siguron se me përfundimin e rikonstruksionit të 3 hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, përmirësohet siguria e prodhimit të energjisë elektrike pandërprerje për nevojat që ka vendi si dhe sigurohet jetëgjatësia e këtyre veprave.

Komani është hidrocentrali me kapacitetin më të madh të prodhimit të energjisë në vendin tonë. Punimet për ndërtimin e tij nisën në vitin 1980. Në 1985-ën filloi punën turbina e parë. Me kapacitet të plotë centrali u vu në punë në vitin 1988.

HEC Koman u ndërtua mbi konceptet dhe projektin e hartuar nga inxhinierët shqiptarë të Institutit të Studim-Projektimeve të Hidrocentraleve në Tiranë. Për ndërtimin e veprës punuan rreth 12,000 punëtorë, inxhiniere dhe specialistë.

Diga e Komanit, është ndër 10 digat më të larta të këtij lloji në Europë, me lartësi 133 m dhe gjatësi 290 m dhe volum total prej 5 milion m3. Diga ka krijuar një rezervuar prej 500 milion m3 ujë, ndërsa vëllimi i dobishëm i tij është 90 milion m3 ujë(kuota; 169-176m).

Agregatët e instaluar në central kanë turbina “Francis” vertikale me fuqi 156 MW secila.Fuqia totale e HEC-it është 600 MW.

Shkarkimi i prurjeve në Koman është parashikuar të realizohet nëpërmjet tuneleve të shkarkimit; Tuneli 3 me kapacitet mbi 1800 m3/sek dhe tuneli 4 me kapacitet mbi 1600 m3/sek./atsh