Digjet shtëpia e pleqve në Kroaci, së paku gjashtë të vdekur

Një zjarr ka përfshirë një shtëpi pleqsh në pjesën veriore të Kroacisë në orët e hershme të së shtunës, duke vrarë së paku gjashtë persona, kanë thënë autoritetet atje.

Zjarri nisi rreth orës 5 të mëngjesit në një strehimore private në fshatin Andrashevac, 30 kilometra në veri të Zagrebit. Një hetim është duke u zhvilluar për të gjetur shkaktarin e zjarrit.

“Fatkeqësisht, sipas informatave fillestare që kemi marrë, gjashtë persona kanë vdekur”, ka thënë kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, raporton “The Associated Press”. “Në këtë moment, nuk kemi informata të mjaftueshme për të thënë diçka më shumë”.

“Na duhet të presim derisa autoritetet të kryejnë punën e tyre”, shtoi Plenkoviqi, transmeton Koha.net.

Mediat kroate kanë thënë se zjarri ka nisur në një ndërtesë të drunjtë afër ndërtesës kryesore të shtëpisë së pleqve. Televizioni N1 thotë se në momentin e zjarrit, në shtëpi po qëndronin rreth 20 persona.

Policia tha se zjarri është shuar shpejt, por nuk kanë mundur të hyjnë menjëherë në ndërtesën e djegur për të kryer hetime.