ZRRE mbron sërish vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike

Pas vendimit të Gjykatës së Prishtinës rreth pezullimit të përkohshëm të tarifave të reja të rrymës për të cilën ishte vendosur në fillim të muajit shkurt, Pal Lekaj e ka pyetur kryesuesin e bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu, se a është shkelje e të drejtave të qytetarëve që nuk trajtohen barabartë sa i përket çmimeve.

Fejzullahu, iu përgjigj duke thënë se ky vendim i Themelores nuk është i formës së prerë dhe se ka hapësirë për ankimim.

Në këto momente është duke u mbajtur Komisioni për Ekonomi, ku kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahum, është duke raportuar para ligjvënësve të Kuvendit.

Njëra prej pyetjeve që iu parashtruan Zejnullahut, ishte edhe rreth vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila ditë më parë pezulloi përkohësisht tarifat e reja të energjisë elektikrike.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, iu drejtua Zejnullahut duke i thënë se “a keni vepruar drejt dhe ligjërisht dhe se nuk e keni shkelur Kushtetutën e Kosovë?”.

“Sa i përket shtrenjtimit të energjisë. Keni një vendim nga Gjykata Themelore. A mendoni se është shkelje e të drejtave të qytetarëve që qytetarët nuk trajtohen barabartë sa i përket ngritjes së çmimeve sepse ka dallime esenciale. A mendoni se keni vepruar drejt dhe ligjërisht dhe se nuk e keni shkelur Kushtetutën e Kosovës?”, pyeti Lekaj.

Kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu, iu përgjigj duke thënë se beson që kanë marrë vendim të drejtë lidhur me këtë çështje.

Madje, ai tha se janë duke e shfrytëzuar të drejtën që të ankohen në Gjykatat e tjera më të larta.

“Procesi i rritjes së tarifave ka qenë në vitin 2022. Ne sot jemi për raportim për vitin 2021. Unë po besoj që ne kemi marrë vendim të drejtë dhe jemi duke e shfrytëzuar drejtën tonë që të ankohemi në gjykata në nivele tjera sa i përket vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës. Ky vendim nuk është i formës së prerë”, tha ai gjatë komisionit.

Zejnullahu theksoi se çdo vendim i cili humbet apo fitohet në instancat më të larta të drejtësisë, do të implementohet nga ZRRE-ja.

“Ka hapësirë ankim. Cilido vendim që është i Apelit ne si ZRRE do ta zbatojmë dhe implementojmë. Praktikat tona, vendimi i Gjykatës Themelore nuk është i zbatueshëm menjëherë. S’është rasti i parë që kemi pasur vendime të tilla të shkallës së parë të Themelores. Ne si ZRRE kur e kemi humbur rastin, e kemi implementuar ashtu siç ka vendosur Gjykata e Apelit”.

“Edhe në rastin e Apelit, në bazë të informacioneve, neve nuk na pamundësohet ankimi në shkalla tjera, por vendimi është i implementueshëm. Nëse s’është në favorin tonë edhe në nivele tjera”, shtoi ai.