Dikur në garë për kryetar të Prishtinës, tani të bashkuar për ta rrëzuar Qeverinë

Opozita po i vazhdon takimet për të krijuar një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, kishte mbajtur një takim me kreun e VV-së, Albin Kurti, ndërkaq kishte paralajmëruar një takim edhe me të parin e PSD-së, Shpend Ahmeti. E ky takim është mbajtur sot, ku krerët e të dyja partive duket se janë koordinuar për masat e mëtejme për t’i mbledhur votat për rrëzimin e Qeverisë, shkruan Gazeta Express.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka bëri thirrje publike opozitës që për herë të parë të bashkohen për të njëjtën kauzë – mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale.

Për të bërë këtë, ai i ftoi në takim liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e atë të PSD-së, Shpend Ahmeti.

Mustafa dhe Kurti u takuan dhe biseduan për hapat e mëtejmë për të krijuar një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj.

Ndërkaq, Mustafa përmes një postimi në Facebook i kishte bërë ftesë për takim edhe të parit të PSD-së, Shpend Ahmeti. Ky i fundit i ishte përgjigjur pozitivisht Mustafës.

Takimi i paralajmëruar ndërmjet Mustafës dhe Ahmetit është mbajtur mëngjesin e sotëm.

I pari i LDK-së ka thënë për Gazetën Express se në takimin e sotëm kanë diskutuar për organizimin e opozitës për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.

“Sot në takim me kryetarin e PSD-së, Shpend Ahmeti, kemi diskutuar për organizimin e opozitës për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së koalicionit PAN. Ekziston pajtimi se vendit i nevojiten zgjedhje të parakohshme, për çfarë do të bashkërendisin veprimet grupet parlamentare”, ka thënë Mustafa.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka thënë për Gazetën Express se në takimin e sotëm është biseduar për koordinim të veprimeve dhe strategjisë së opozitës për t’i bërë numrat për rrëzimin e Qeverisë.

“Sot kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka takuar kryetarin e LDK-së, z. Isa Mustafa. Në këtë takim është biseduar për koordinim të veprimeve dhe strategjisë së opozitës për t’i bërë numrat për ta rrëzuar Qeverinë. Gjithashtu, në këtë takim ka pasur dakordim që në vazhdimësi të mbahen takime koordinuese deri në hartimin final të një strategjie të përbashkët opozitare”, ka thënë Kuçi.

Në muajin maj të vitit 2017 Qeveria e “Isa Mustafës” është rrëzuar me mocion mosbesimi që ishte iniciuar nga opozita. Nga gjithsej 115 deputetë sa ishin në sallën e Kuvendit të Kosovës, 78 vota ishin për rrëzimin e Qeverisë në krye me Isa Mustafën.

E ky i fundit tani në të njëjtën mënyrë po tenton ta rrëzojë Qeverinë “Haradinaj”. Mustafa po kërkon inicimin e një mocion mosbesimi përmes të cilës do t’i jepte fund qeverisjes aktuale.

Mocioni për rrëzim të Qeverisë aktuale mund të ndodhë nëse opozita i siguron 61 nënshkrime të deputetëve. Pas vendosjes së taksës prej 100 për qind për produktet serbe e boshnjake gatishmëri për të dhënë nënshkrimet kanë treguar edhe Lista Serbe.

Kujtojmë se Mustafa e Ahmeti kishin zhvilluar një garë të ashpër në vitin 2013, për ta marrë mandatin qeverisës në kryeqytet. Ahmeti kishte arritur ta mund Mustafën edhe pse ky kishte thënë se Prishtinën mund ta fitojë me duar në xhepa. Tani ata po bashkëpunojnë për ta çuar Haradinajn në shtëpi.