Distria Krasniqi mposht rusen dhe kualifikohet në çerekfinale

Xhudistja kosovare e filloi me këmbë të mbarë rrugëtimin në kategorinë deri në 48 kilogram, duke e fituar ndeshjen e parë, në rrethin e dytë, të Grand Prixit të Budapestit të Hungarisë.

Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi, e mposhti me ippon xhudisten nga Rusia, Sabina Giliazova, në rundin e dytë të Grand Prixit të Hungarisë dhe e siguroi kështu një vend në çerekfinale.

Që të dyja këto xhudiste e kaluan rrethin e parë pa luftë.

Në rundin e tretë të kësaj gare, në çerekfinale, 23- vjeçarja do të përballet me fituesen e duelit mes kinezes Yanan Li dhe gjermanes Mascha Ballhaus.

Nëse Krasniqi arrin të sigurojë ndonjë medalje në këtë garë, atëherë do ta shtojë edhe një tjetër Grand Prix tjetër në mesin e 20 medaljeve të fituara në turneun botëror të IJF, ku përfshihen Masters, Grand Prix dhe Grand Slams.

Përveç Distria Krasniqit, sot Kosovën në Bundapest të Hungarisë do të përfaqësojnë edhe Nora Gjakova (-57 kg) dhe Majlinda Kelmendi (-52 kg). Ndërsa, Akil Gjakova garon të shtunën dhe Loriana Kuka të dielën.