Djegia e banerit “Liria ka emër”: Qytetari thotë se kryetari i Graçanicës duhet të intervistohet nga policia

Në orët e hershme të mëngjesit në hyrje të Kishnicës, në komunën e Graçanicës është dëmtuar baneri “Liria ka emër”.

Arton Smajli, banor i Kishnicës ka treguar se si e ka marrë lajmin për dëmtimin e këtij baneri.

Smajli për Klan Kosova tha se kjo ka qenë e pritshme, pasi ka pasur edhe reagime për heqjen e tij nga ana e kryetarit të Graçanicës.

“Në kohën kur ka ndodhur nuk kam qenë në Kishnicë. Disa bashkëvendas më kanë njoftuar se pllakata është djegur. Kjo ka qenë e pritshme. Duke pasur parasysh edhe deklaratat të kryetarit Srxhan Popoviq, për heqjen e kësaj pllakate. Unë mendoj që kjo ka qenë e pritur”.

“Veprimet e tilla dhe deklaratat e tilla të kryetarit nuk janë sjellje profesionale, sepse ai duhet ta dijë që nuk është kryetar vetëm i komunitetit serb, por ai përfaqëson të gjithë komunitetet në komunën e Graçanicës”.

Ai thekson se në Kosovë nuk ka ndarje në mes të komunave në baza etnike.

“Ai duhet ta dijë se në bazë të Kushtetutës së Kosovës, nuk ka ndarje të komunave të serbëve dhe shqiptarëve”.

Sipas tij duhet të intervistohet edhe kreu i Graçanicës.

“Nuk kemi pasur kontakte me kryetarin. Kemi kontaktuar dhe kemi dhënë informacione me policinë. Policia është këtu dhe besoj që do të zhvillohen hetimet lidhur me rastin edhe me faktet që janë gjetur”.

“Unë besoj që duhet të intervistohet edhe vet kryetari Srxhan Popoviç, sepse ai dje edhe pardje ka dhënë deklaratë për t’u hequr. Domethënë ai ka dalë kundër kësaj pllakate. Unë nuk e di se çka i ka penguar. Liria është për të gjithë popujt. Dhe falë kësaj lirie ne jemi në Kosovën e lirë”.