Do ta luftojmë çdo formë abuzimi apo korrupsioni që pengon konkurrencën e lirë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli është zotuar se nëse do të jetë kryeministër i ardhshëm do ta luftojë çdo formë abuzimi apo korrupsioni që e pengon konkurrencën e lirë.

“Këto ditë kam vizituar biznese të ndryshme që punësojnë dhe u krijojnë mundësi të rinjve, që ata të mos emigrojnë, por ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë. Një prej tyre është edhe “Lona Al Plast”, që falë punës së madhe të biznesmenëve Nijazi Bytyqi dhe Ramadan Hoxha prodhon jo vetëm për tregun vendor, por edhe për tregun e huaj.

Ne përmes Ministrisë së Financave kemi marrë masa të shumta për t’i luftuar abuzimet dhe për të krijuar një klimë sa më të favorshme biznesore. Megjithatë, kemi ende shumë punë për të bërë dhe nuk do të ndalemi.

Konkurrenca e lirë dhe e ndershme është parakusht për konsolidimin dhe zgjerimin e bizneseve private si “Lona Al Plast”. Prandaj, ne do ta luftojmë çdo formë abuzimi apo korrupsioni që e pengon konkurrencën e lirë. Po ashtu, do t’i vazhdojmë reformat që eliminojnë burokracitë dhe lehtësojnë barrën fiskale, në mënyrë që sektori privat të zhvillohet dhe të krijojë sa më shumë vende pune”, shkruan Vesei në facebook.