Përpos pazarit me kompani të palicencuara, ZRrE e dënoi KEK-un edhe për 6 shkelje tjera

Në fillim ishte raportuar se tregtimi i energjisë elektrike me kompani që nuk janë të licencuar në Kosovë, ka qenë arsyeja kryesore pse Zyra e Rregullatorit të Energjisë (tutje: ZRrE) kishte dënuar me 3 milionë e 229 mijë euro, Korporatën Energjetike të Kosovës (tutje: KEK), por në vendimin e publikuar pas 2 muajve nga ZRrE, del që edhe disa ligje të tjera janë shkeluar me dy këmbët nga KEK-u. Cilat janë?

Zyra e Rregullatorit të Energjisë, kishte marrë vendim më 5 maj 2023 që KEK-u të dënohet me mbi 3 milionë euro për shkak të tregtimit të energjisë elektrike me kompani që nuk janë të licencuara në Kosovë.

Kjo çështje ishte komentuar me të madhe dhe kishte ngritur dyshime për keqpërdorime nga ana e menaxhmentit të KEK-ut.

Megjithatë, pavarësisht insistimi të Nacionales për të parë vendimin, ZRrE kishte hezituar, por tek tash e ka publikuar vendimin e plotë dhe arsyetimin e këtij vendim.

Çka thuhet në vendim të ZRrE-së?
ZRrE përveç asaj që dihet se KEK-un e kishte dënuar për shkak të tregtim të energjisë elektrike me kompani të huaja e të palicencuar, KEK-u kishte shkelur edhe disa ligje të tjera.

ZRrE ka konstatuar shtatë (7) pika të cilat i ka shkelur KEK-u.

Pika e parë që ZRrE e ka gjetur në shkelje ligjore KEK-un është shit-blerja e energjisë elektrike me kompani që nuk janë të licencuar.

Tutje, më poshtë lexoni edhe dy pikat e tjera.

“i) KEK SH.A., gjatë shit-blerjes së energjisë elektrike ka nënshkruar Kontrata Kornizë me shoqëritë tregtare dhe degët e të cilëve nuk janë të regjistruara dhe të licencuara në Kosovë, respektivisht nuk i njihet licenca e lëshuar nga vendet përkatëse, sipas Parimit të Reciprocitetit; ii) KEK SH.A., nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Nenin 28, par.1 dhe par. 2 dhe Nenin 30, par.1 të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, Nenin 32, par.3 të Ligjit për Energjinë Elektrike, Nenin 2, par. 2.1.2, 2.1.3 dhe 2.1.6 të Rregullave të Tregut, Nenin 8, par. 1 të Procedurës për Tregtimin e Energjisë Elektrike; iii) KEK SH.A., nuk e ka të aprovuar procedurën e brendshme të bazuar në funksionin e tyre në treg. Bazuar në këtë, tregtimi i energjisë elektrike pa procedurë të brendshme është në kundërshtim me Nenin 2, par. 2 i Procedurës së Tregtimit të Energjisë Elektrike;” – thuhet në vendimin e ZRRE-së.

Pika e numër katër thekson se KEK-u ka përsëritur veprimet anipse ka pasur oferta valide.

Gjithashtu ZRrE ka gjetur që KEK-u “gjatë përzgjedhjes së ofertave fituese nuk ka përdorur standard të njëjtë të përzgjedhjes në të gjitha rastet”.

“iv) KEK SH.A. ka përsëritur procesin e shitjes së energjisë elektrike edhe në raste kur ka pasur oferta Valide. Një veprim i tillë nga KEK SH.A. është në kundërshtim me Nenin 13, par. 1 i Procedurës së Tregtimit të Energjisë Elektrike; v) KEK SH.A. gjatë përzgjedhjes së ofertave fituese nuk ka përdorur standard të njëjtë të përzgjedhjes në të gjitha rastet. Bazuar në këtë, përzgjedhja e ofertave fituese nuk është bërë në pajtim me Nenin 11 par. 10 dhe Nenin 12 par. 1 dhe 3 të Procedurës së Tregtimit të Energjisë Elektrike; vi) KEK SH.A. duke shitur energji elektrike për KOSTT SH.A., për mbulimin e humbjeve në Veri të vendit, nën kushtet e marrëveshjes për mbulimin e humbjeve të sistemit ka vepruar në kundërshtim me Nenin 2 të Procedurës së Tregtimit të Energjisë Elektrike, pasi që në procedurë përcaktohet që tregtimi i energjisë elektrike duhet të i nënshtrohet tregut të lirë dhe konkurrues.” – thuhet në vendim.

Gjithashtu, ZRrE ka gjetu se KEK-u ka nënshkruar kontrata për shit-blerje të energjise elektrike, pa procedurat konkuruese dhe duke mos iu nënshtruar procedurave të tendrimit.

“KEK SH.A. – Gjenerimi ka nënshkruar marrëveshje për shitje të energjisë elektrike me KEK SH.A.- Furnizuesin për ofrimin e shërbimit të furnizuesit të mundësisë së fundit, duke mos ju nënshtruar kushteve të konkurrencës dhe procedurave të tenderimit. Bazuar në këtë, nënshkrimi i kontratës për shit-blerje të energjisë elektrike në këtë mënyrë, bie në kundërshtim me Nenin 22, par.5 të Ligjit për Energji Elektrike.” – thotë pika shtatë e këtij vendim.