Dogana konfirmon mashtrimin e marketeve, vaji ushqimor sivjet u importua me 1.22-1.45 euro

Gati trefish më lirë sesa çmimi me të cilin u shit një litër vaj të enjten, ka kushtuar importi i një litre në Kosovë deri tash në vitin 2022, ka konfirmuar Dogana e Kosovës.

Teksa të enjten çmimi i vajit ushqimor arriti në vlerë rekorde prej 3.5 euro në disa dyqane, Dogana ka konfirmuar se në dy muajt e parë të vitit 2022 dhe në ditët e para të marsit, çmimi për një litër vaj të importuar ka qenë në mes të 1.22 euro dhe 1.45 euro.

Edhe më lirë ka qenë çmimi i vajit të importuar vitin e shkuar.

Siç ka njoftuar Dogana e Kosovës, gjatë 2021-s janë importuar 17.7 milionë litra vaj luledielli të përpunuar dhe 5 milionë vaj luledielli të papërpunuar. Vajrat ushqimore në vitin e shkuar janë importuar me çmim prej 1.11 euro në janar dhe 1.44 euro në dhjetor. Për import është paguar tetë për qind TVSH-ja. Vajrat e papërpunuar s’kanë paguar për shkak se konsiderohen lëndë e parë për prodhim.

Ndërkaq sivjet, janë importuar 3.3 milionë litra vaj luledielli i përpunuar dhe 1.4 milionë litra vaj i papërpunuar me çmim prej 1.22 euro deri në 1.45.

Pas inspektimeve të enjten në mbrëmje shteti ka mbyllur dy depo në dy supermarkete për shkak të mungesës së dokumentacioneve.