“Don me qu poshtë veten dhe këtë vend” – përplasja e ashpër e Haradinajt me Kurtin në takim

Takimi i mëngjesit mes kryeministrit Kurti dhe liderëve të opozitës nuk ka shkuar si është më së miri. Madje për njërin prej tyre ka përfunduar para kohe. Ishte kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj që ka lëshuar takimin gjysmë ore pasi ai kishte filluar.

“Kurti po na mbante ligjërata…” ishte kritika e Haradinajt për Kurtin para mediave në hyrje të qeverisë.

Gazeta 10 ka mësuar nga burime të besueshme me takimin e sotshëm se kishte momente të pakëndshme brenda, veçmas mes Kurtit dhe Haradinajt.

Deri te situata kishte ardhur kur kryeministri po fliste qysh rajoni është në rrezik, siguria po përshkallëzohet për shkak të ndikimit rus në rritje dhe se vende si Mali i Zi, Maqedonia e të tjera janë në rrezik nga kjo frymë.

“Ka mjaftuar kjo retorikë e kryeministrit që Haradinaj të shpërthej duke i thënë mos na trego ligjërata por tregona qysh je ka na prish me Amerikën dhe si ke me i ndreq këto raporte. Don me qu poshtë veten dhe këtë vend…” ka thënë burimi, duke cituar fjalët e Haradinajt për Kurtin.

Insistimi më pas i Kurtit për ta përfunduar fjalën e tij ka bërë që Ramush Haradinaj ta lëshoj takimin para kohe dhe në mënyrë demonstrative.

Kryeministri Albin Kurti nuk e ka komentuar këtë episod të takimit.