Donika Gërvalla: Vetëm me këtë kandidat, LDK i fiton zgjedhjet

Aktivistja e Lidhjes Demokratike të Kosovës që për një kohë ka udhëhequr degën e kësaj partie në Gjermani, Donika Gërvalla, ka reaguar pas vendimit për pauzë të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas saj është e pakuptueshme pse kjo parti i komplikon gjërat, duke qenë shumë e thjeshtë që për kandidat për kryeministër të nominojë një person që gëzon mbështetje të madhe tek votuesit, duke aluduar në emrin e Vjosa Osmanit.

Gërvalla thotë se LDK’ja mund t’i fitojë zgjedhjet vetëm me Vjosa Osmanin, dhe mos kandidimi i saj për kryeministre do të ishte vetëm në interes të PDK’së.

Reagimi i plotë:

Është krejt e pakuptueshme se pse kryesia e LDK-së e ndërlikon kaq shumë një çështje shumë të thjeshtë.

Kandidat për kryeministër duhet të jetë domosdoshmërisht personi që gëzon mbështetjen më të madhe tek votuesit e një partie politike.

Nëse të gjithë në LDK tashmë janë pajtuar me konstatimin që pikërisht znj. Vjosa Osmani, dhe vetëm ajo është momentalisht personaliteti, me të cilin LDK-ja mund të fitojë dukshëm në zgjedhjet e 6 tetorit të këtij viti, atëherë është krejt i pakuptueshëm cirku i ditëve të fundit.

Emërimi i bartësit të listës dhe kandidatit për kryeministër do të duhej të ishte një akt solemn dhe mobilizues dhe jo pazar i gërditshëm.

Përpjekjet për të eleminuar kandidaturën e znj. Osmani janë dëshmia më e shëmtuar e pranisë në zemër të LDK-së të personave, të cilët synim kryesor kanë vetëm mbrojtjen e interesave të PDK-së.

Formuluar qartë: PDK ka interes vital të mënjajojë kandidaturën e znj. Osmani, sepse kjo kandidaturë PDK-në e çon në opozitë.