Dorëheqja e Vitisë, Zemaj: Iku nga detyra ministri më i dështuar

Ish ministri i Shëndetësisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka reaguar sot pas dorëheqjes nga pozita e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Zemaj në një postim në Facebook shkruan se ai në të vërtetë do të duhej të shkarkohej ose të jepte dorëheqje si pasojë e keqmenaxhimit të pandemisë.

“Sot, iku nga detyra ministri më i dështuar i qeverisë më populliste. Thënë ndryshe e lëshoi detyrën për të synuar një detyrë të re, duke lënë të nënkuptohet se ishte bërë ministër me qëllim që nesër të synon të bëhet kryetar komune.

Në të vërtetë, fillimisht ai duhej të shkarkohej apo të jepte dorëheqje të parevokueshme si rezultat i mungesës së menaxhimit të pandemisë, ku për pasojë i theu të gjitha rekordet e zeza në botë për vdekshmëri dhe numër të të infektuarve me COVID-19.

Pra, papërgjegjësinë e dëshmoi. Paaftësinë e vulosi. Rekordet e zeza që vet i arriti, po dhe vet i theu. Dështimit nuk mund t’i ikë”, shkruan Zemaj.