“Drejtësi për gratë e vrara”. Në Prishtinë protestohet pas vrasjes së Liridonës

Qytetarë të Kosovës kanë protestuar të martën pasdite në Prishtinë kundër dhunës dhe vrasjes së grave, rreth një javë pas vrasjes së një gruaje 30-vjeçare në kryeqytet – një rast që e tronditi vendin.

Liridona Murseli u vra të mërkurën, më 29 nëntor, në fshatin Bërnicë, disa kilometra larg kryeqytetit Prishtinë.

Vrasja e saj tronditi vendin, sepse bashkëshorti i saj, Naim Murseli, u arrestua si i dyshuar për organizimin e vrasjes së saj.

Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, i cili e organizoi marshin protestues, bëri thirrje për ndaljen e dhunës ndaj grave.

“Jemi mbledhur sepse vajzat dhe gratë në Kosovë janë në rrezik. Jemi mbledhur për të treguar edhe një herë se kjo gjendje lufte, që ne si vajza e gra e përjetojmë, duhet të përfundojë një herë e përgjithmonë. E kjo mund të ndodhë vetëm nëse të gjitha ne bashkohemi në luftën që ne si gra po e bëjmë çdo ditë. Në shtëpi, në punë, në rrugë, në shkollë dhe në shtet”, tha ajo.

Duke mbajtur pankarta me mbishkrime si, “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave” dhe “Vrasësit e grave në burg”, dhe duke brohoritur “Liri, barazi, solidaritet”, “Drejtësi për Liridonën” dhe “Drejtësi për gratë e vrara”, protestuesit marshuan nga Sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës në qendër të qytetit.

Të dyshuar për vrasjen e Liridonës janë bashkëshorti i saj, Naim Murseli dhe dy persona të tjerë me inicialet G.P, dhe K.K, sipas Policisë së Kosovës. Gjykata u ka caktuar atyre një muaj paraburgim.