Dy antitrupa që gjenden tek kjo lloj deveje mund të jenë shpëtimi nga koronavirusi

Shkencëtarët kanë zbuluar dy variente antitrupash që gjenden tek kjo kafshë e Amerikës së Jugut që mund të neutralizojë virusin në qeliza. Eksperimenti është bërë në një laborator me qeliza imituese njerëzore dhe kjo mund të çojë në krijimin e një terapie të re kundër infeksionit.

Studimi, i botuar në revistën Nature Structural & Molecular Biology, thekson se ‘nanobodet’ mund të parandalojnë infeksionin duke bllokuar ndërveprimin e tij me proteinën ACE2, të cilën koronavirusi e përdor si një portë për të hyrë dhe infektuar qelizat.

Sipas shkencëtarëve, përfshirë ato të Institutit The Rosalind Franklin në Britani, imunizimi pasiv, i cili përfshin dhënien e një ‘agjenti neutralizues të virusit’ qoftë nga njerëzit e infektuar më parë me SARS-CoV-2 ose antitrupa të pastër mund të jenë të dobishëm në trajtimin ndaj virusit.

Studiuesit sqarojnë se antitrupat njerëzorë, si ato të shumicës së gjitarëve, kanë dy zinxhirë – të rëndë dhe të lehtë – por devetë, të tilla si ‘llamas’ posedojnë një variant shtesë të vetëm të antitrupave të zinxhirit të rëndë, të njohur si nanobod.

Nanobodet janë të vogla, të qëndrueshme dhe prodhohen lehtësisht dhe shpesh shërbejnë si alternativa ndaj antitrupave.

Vetë antitrupat e llojit të deveve mund të jenë të dobëta tek njeriu, por nëse kombinohen me element të tjerë, mund të sjellin rezultate pozitive. Shkencëtarët theksojnë se studimi vijon dhe aktualisht nuk është definitiv.