Dy Botërorët e Majlindës

Po kalojnë pesë vjet prej kur Kosova ka fituar medaljen e fundit në kampionat botëror të xhudos.

Ishin rrethana të tjera kur Majlinda Kelmendi pati ditë plot shkëlqim në Chelyabinsk të Rusisë dhe fitoi pa shumë vështirësi titullin e botës në xhudo në kategorinë deri 52 kilogramë, shkruan Koha Ditore.

Majlinda kthehet në fillim të javës tjetër (të hënën) në skenën më të madhe botërore, me shpresë për medalje tjetër.

Botërori i vitit 2019 në xhudo mbahet në Tokio të Japonisë, ku vitin tjetër organizohen Lojërat Olimpike. Japonezët janë të përkushtuar për të dominuar garat e xhudos në Lojërat Olimpike, ndërsa për kategorinë deri 52 kilogramë, Majlindën e shohin si kërcënimin më të madh.

Në botëror, luftërat e Majlindës me xhudistet japoneze priten me shumë interesim. Tifozët vendas mund t’i ketë kundër, por kampionia kosovare është mësuar me këtë. Në Chelyabinsk më 26 gusht të vitit 2014 dhe në Rio de Janeiro të Brazilit më 27 gusht të vitit 2013, Majlinda ia ka dalë të impresionojë shikuesit në arena, ndonëse gjatë atyre ditëve kishte mposhtur edhe xhudistet vendase, të pëlqyerat e tifozëve. Këto dy data meritojnë të shkruhen me shkronja të arta në historinë e sportit kosovar. Janë datat kur Majlinda fitoi tituj në kampionatet botërore të xhudos për seniorë. Ajo më pas ka fituar edhe medaljen e artë olimpike në vitin 2016, plot medalje evropiane, por suksesi në botëror, medaljet e arta në këto ngjarje, mbesin të veçanta.