Dyshime për keqpërdorim e ryshfet me tenderë në MPB, ndalohen tre zyrtarë të ministrisë

Policia e Kosovës ka ndaluar A.S.,B.B.,N.S., zyrtarë të ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe G.H. në cilësinë e përfaqësuesit të operatorit ekonomik, nën dyshimin për pranim të ryshfetit nga operatorë të ndryshëm ekonomik në tenderë në MPB.

“Për të dyshuarit me iniciale (A.S., B.B. dhe N.SH.) ekziston dyshimi i bazuar se në cilësi të personave zyrtar duke vepruar në bashkëpunim gjatë realizimit të disa procedurave tenderuese dhe realizimit të projekteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) kanë marrë ryshfet nga operatori ekonomik i kontraktuar për kryerjen e projekteve”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Të dyshuarit (N.S.) dhe (G.H.) në cilësi të përfaqësueseve të operatorit ekonomik dyshohen për veprën penale të Dhënies se Ryshfetit me qellim të krijimit të përparësive të paligjshme gjatë realizimit të projektit për ndërtimin e “një objekti të një agjencie” dhe projekteve tjera të zhvilluara nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), të njëjtit dyshohen edhe për veprën penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” përcaktuar sipas kodit penal të RKS-së”, vijon njoftimi i PK-së.

Sipas PK-së, përgjatë urdhër-kontrollit janë sekuestruar prova materiale, teksa tre të dyshuar janë dërguar në mbajtje, teksa njëri nga ta është liruar në procedurë të rregullt.