E çliruar nga Z-mobile, Telekomi do të fitojë mbi 1 milion euro në muaj

Pas shkëputjes së kontratës me Z-mobile, më shumë se 200 mijë numra pritet t’i kthehen në pronësi Telekomit të Kosovës.

E ky kalim, do të bëhet më 28 nëntor, 120 ditë pas ndërprerjes së kontratës dhjetëvjeçare.

Sipas kryeshefit ekzekutiv të Telekomit, Bedri Istrefi, asnjë konsumator nuk do të mbetet pa shërbime.

Ndërkaq, me shfrytëzimin e këtyre numrave, edhe të hyrat mujore të Telekomit pritet të jenë të larta.

Mbi 1.2 milion euro në muaj do t’i fitojë Telekomi me kthimin e numrave të Z-Mobilet.

Me këtë pritet që edhe gjendja financiare e kësaj ndërmarrjeje publike të ketë përmirësime.

Në shtator të këtij viti, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve kishte vendosur që numrat, të cilët Z-mobile i kishte shfrytëzuar gjatë kontratës, t’i kthehen Telekomit të Kosovës.

Ndërkaq, lidhur me shkëputjen e kësaj kontrate, përsëri Z-Mobile e ka paditur Telekomin në Arbitrazh, dhe kërkon 13.5 milionë euro dëmshpërblim.