E konfirmon ministrja zvicerane e drejtësisë: Të arrestuarit në Zvicër për sulmin e Vjenës janë takuar me Kujtim Fejzullahun

“Lidhja zvicerane” e atentatorëve të Vjenës, e supozuar pas arrestimit të dy të rinjve, sot, në Winterthur, po merr konture reale. Lidhur me këtë, ka folur sot edhe personi më kompetent në Zvicër, ministrja e drejtësisë.

Në një podium të mbajtur sonte, të gazetës “St. Galler Tagblatt”, Ministrja e Drejtësisë, Karin Keller-Sutter ka thënë se të rinjtë e arrestuar në Winterthur ishin “kolegë” të sulmuesit të Vjenës.

“Të tre personat janë takuar gjithashtu edhe fizikisht”, ka konfirmuar Keller-Sutter, transmeton albinfo.ch.

Ministrja e Drejtësisë gjithashtu ka thënë se ajo nuk donte të dramatizonte çështjen, por një sulm si ai i së hënës në mbrëmje në Vjenë mund të ndodhte “në çdo kohë” edhe në Zvicër.

Megjithëse parlamenti ka miratuar masa të reja ligjore kundër veprimeve terroriste, jo gjithçka mund të parandalohet në një shtet të së drejtës, çfarë është Zvicra, ka thënë ajo

Policia e kantonit të Cyrihut, së bashku me Zyrën Federale të Policisë (Fedpol) dhe policinë austriake, janë në shkëmbim të ngushtë informacionesh, përcjell albinfo.ch. Sqarimi i plotë i një përfshirjeje të mundshme është qëllimi më i lartë i të dy autoriteteve të sigurisë.