E rëndë/ Breshëri automatiku në drejtim të makinës, vriten 3 persona në mbikalimin e Fushë-Krujës

Një atentat me armë zjarri është regjistruar mesditën e sotme në mbikalimin e Fushë-Krujës. Teksa më herët u raportua se dyshohej për një person të vrarë, tashmë nga vendngjarja thuhet se të vdekur kanë mbetur 3 persona.

Disa persona ende të paidentifikuar që udhëtonin me makinë kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një mjeti në lëvizje që për pasojë mjeti ka marrë flakë. Mësohet se një prej viktimave ka dalë nga makina por atentatorët janë kthyer dhe e kanë qëlluar dhe atë për vdekje. Trupat e dy personave të tjerë ndodhen ende brenda makinës që është përfshirë nga flakët.

Nga targat e mjetit rezulton se mjeti është në pronësi të një personi me banim në Fushë Kuqe. Nuk dihet ende nëse pronari ishte në makinë dhe kush ishte shënjestra e këtij atentati. Ambulanca dhe policia po shkojnë drejt vendit të ngjarjes.

Thuhet se makina që hapi zjarr është larguar në drejtim të Durrësit, ndërsa në ngjarje ka pasur shumë dëshmitarë që mund t’i vinë në ndihmë prokurorisë në zbardhjen e ngjarjes.