E zë lisi, vdes një person në Rugovë të Pejës

Një person ka vdekur pasi është zënë nga një lis në malet e Rugovës në Pejë gjatë ditës së djeshme.

Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Dje ka ndodhë rreth orës 14:00 në fshatin Haxhaj të Rugovës. E ka zënë lisi. Prokurori dhe të gjitha njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka thënë Gashi.

Ndërsa në raport 24 orësh, Policia njofton se për këtë ngjarje tragjike është arrestuar një person i cili ishte duke bërë punime të kundërligjshme.

“Është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar pasi që i njëjti ishte duke bërë punime të kundërligjshme dhe gjatë punimeve dyshohet se një dru ka rënë mbi viktimën mashkull kosovar i cili si pasojë e lëndimeve ka ndërruar jetë”, thuhet në raportin e Policisë.

Trupi i pajetë i tij është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.