Thyen rregullat e Schengen dhe iu refuzua azili, rikthehen në atdhe 60 shqiptarë

Riatdhesohen 60 shtetas shqiptarë ku 20 prej tyre kishin kërkuar azil dhe 40 të tjerë për qëndrim të parregullt në vendet e Bashkimit Europian.

Policia e shtetit ka apeluar tek të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së, të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen.

Në një aeroplan nga Lillë e Francës, në kuadër të fluturimit të përbashkët evropian organizuar nga Franca dhe Frontex, si dhe me mbështetjen e eskortës shqiptare, u riatdhesuan 60 shtetas shqiptarë, nga të cilët 20 prej tyre kishin kërkuar azil dhe 40 të tjerët për qëndrim të parregullt në vendet e BE-së.

Policia e shtetit ka bërë të ditur më tej se operacionet e riatdhesimit do vijojnë edhe në javët e ardhshme.

“Policia e Shtetit apelon të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së, të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen, si dhe mos bëjnë provojnë të kërkojnë azil, pasi shanset për ta fituar janë zero. Njëkohësisht Policia Kufitare, në pikat e kalimit do vijojë me kontrollet rigoroze në drejtim të verifikimit të dokumentacionit dhe plotësimit të kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe të kontrollit më të rreptë të kufirit jeshil”, thuhet në njoftim.