Ec e bjeri në fije Agim Bahtirit, tash thotë se nuk është larguar nga AKR

A është Agim Bahtiri në AKR?- Kësaj pyetje përgjigje me shumë gjasë nuk mund t’i jap as vetë Behgjet Pacolli.

Kjo pasi vetëm në një periudhë prej dhjetë ditësh, Agim Bahtiri, fillimisht ka deklaruar që është larguar nga partia e Pacollëve, ndërsa sot ka thënë se vazhdon të jetë nënkryetari i parë.

Në një përgjigje dhënë Gazetës Express më datë 25 korrik, Bahtiri kishte thënë se nuk është më në partinë e Pacollit dhe se nuk merret me ta.

Kreu i Komunës Jugore të Mitrovicës thoshte që nuk merrej më me AKR-në.

“Unë nuk merrem më me AKR-në, pyetni organet e AKR-së, jo mua”, kishte deklaruar ai për Gazetën Express.

Mirëpo sot, ai thotë që vazhdon të jetë në postin e nënkryetarit të parë të partisë, madje nuk ka ngurruar që të flas edhe për partitë me të cilat AKR-ja do të bëjë koalicione në zgjedhjet e reja që do të mbahen shumë shpejtë.

“Ju e dini që jam nënkryetar i parë i partisë. Jemi duke negociuar me të gjitha partitë politike, ne nuk kemi vija të kuqe për askënd, por do të shohim se me kë na konvenon me shkue bashkë. Janë dy gjëra që na interesojnë, zhvillimi ekonomik dhe ruajtja territoriale e Kosovës”, ka thënë sot Bahtiri.

Bahtiri kohët e fundit është afruar shumë me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit, megjithatë ende nuk dihet nëse do t’i bashkohet partisë së Kurtit./GazetaExpress/