Edhe dy të mitura sulmohen seksualisht, njëra tentohet të rrëmbehet

Sulmet seksuale ndaj vajzave të mitura në vendin tonë nuk kanë të ndalur. Pas rastit të 11-vjeçares, Demokracia.com mëson se gjatë ditës së djeshme janë raportuar në polici edhe dy raste tjera të sulmit seksual ndaj dy vajzave të mitura në Prishtinë.

Demokracia.com ka siguruar raportin ku një vajzë e moshës së mitur dje ka raportuar në polici, në prezencë të punëtores së Qendrës për Punës Sociale, se rreth orës 16:20, derisa ishte duke ecur në këmbë në rrugën “Enver Maloku” në afërsi të shkollës “Ismajl Qemali” është ngacmuar fillimisht me fjalë dhe më pas është tentuar që të rrëmbehet dhe të futet me forcë në veturën e tipit VW Golf 2 ngjyrë e zezë me targa 02, nga dy persona të panjohur, të moshuar.

Sipas viktimës dy të moshuarit e kanë përcjellur deri te dera e hyrjes së shkollës e më pas deri të salla 1 Tetori dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

Viktimës i është ofruar tretman mjekësor. Në lidhje me rastin janë njoftuar hetuesit kujdestar NJHR Prishtinë. Po ashtu është njoftuar prokurori kujdestar departamenti për të mitur, ku është udhëzuar që të iniciohet rast i rrëmbim në tentativë.

Po ashtu, sipas raportit që ka siguruar Demokracia.com, mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00 është raportuar një tjetër rast i sulmit seksual nga një vajzë e moshës së mitur.

Viktima është intervistuar nga hetuesit në prezencë e QPS dhe sipas deklaratës së saj, dyshohet se është sulmuar seksualisht dhe shtrënguar nga i dyshuari K.M 18 -vjeç. Ngjarja ka ndodhur për kohen sa kishin qenë në lidhje të dy palët nga muaji gusht i viti 2021.

Në lidhje me rastin, në cilësinë e dëshmitarit janë intervistuar edhe dy prindërit e të miturës si dhe prindi i të dyshuarit. Pas intervistimit të palëve është kontaktuar prokurori kujdestar.

I dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë dhe rasti cilësohet si sulm seksual.