Edhe Mali i Zi në “Open Balkan”/ Abazoviç: Do jem në Ohër për takimin e radhës

Kryeministri i Malit te Zi, Dritan Abazoviç ka deklaruar se Mali i Zi do të bëhet pjesë e nismës “Ballkani i Hapur” .

Gjatë një aktiviteti në Podgoricë, Abazoviç deklaroi se ai do të marrë pjesë në takimi ne radhës që do të zhvillohet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ndërsa shtoi se Mali i Zi nuk i është bashkuar kësaj iniciative, por në të kaluarën ka marrë pjese në takimet si vëzhgues.

“Personalisht mendoj se çdo iniciativë rajonale e cila mundet të përshpejtojë integrimet evropiane, jo vetëm të Malit të Zi por krejt rajonit, është diçka që ne duhet të pranojmë. Në anën tjetër, nëse dikush dëshiron të zëvendësojë integrimet evropiane, ne nuk jemi te interesuar. Por, unë ende nuk e kam dëgjuar një argument të vlefshëm që Ballkani i Hapur nuk është i mirë për Malin e Zi”, ka deklaruar Abazoviç.

Komentet e Abazoviç erdhën pas ftesës që i bëri presidenti serb, Aleksandar Vuçiç për t’iu bashkuar kësaj nisme. Deri më tani pjesë e kësaj nisme ishin vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedoni e Veriut.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019. Kosova dhe Bosnja e Hercegovina nuk e mbështesin këtë iniciativë.