Ekskluzive: Dy persona tentojnë të futen në dhomën ku po trajtohet “Italiani”, intervenon Policia

I dyshuari kryesor për incidentin tragjik që ndodhi para 10 ditësh në kafeterinë “Bon Vivant”, Andi Pajaziti, akoma nuk është dërguar në qendrën e paraburgimit, përkundër që kjo masë është caktuar, pasi i njëjti po trajtohet në Klinikën e Ortopedisë në QKUK. I njohur si “Italiani”, Andi po ruhet nga zyrtarët policorë që janë caktuar për ta siguruar derisa ta përfundojë trajtimin, raporton Gazeta Sinjali.

Vizitat janë te lejuara në kushte të njëjta si në qendrën e paraburgimit dhe kushdo që nuk ka leje nga Gjykata, është i ndaluar ta vizitojë të dyshuarin.

Por ndryshe ka ndodhur mbrëmë, kur Policia u përballë me dy persona, që tentuan të futen në dhomën ku është i shtrirë Pajaziti.

Burimet brenda klinikës kanë bërë me dije se dy persona dyshohet se kanë penguar zyrtarët policorë, duke iu kërkuar që të takohen me “Italianin”, ndonëse një gjë e tillë nuk lejohet.

Të dyshuarit (emra të njohur për redaksinë), më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes, teksa Policia ka intervenuar për të siguruar prezencën e tyre dhe që të zbulohet arsyeja e shkuarjes së tyre në klinikën ku po ruhet Pajaziti.

Pasi të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor, gjatë dhënies së deklaratave, kanë deklaruar se janë familjarë të Andit dhe qëllimi i vetëm i tyre ka qenë ta vizitojnë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tyre, në drejtim të veprës penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.