Ekspertja ligjore për media komenton arrestimin e kameramanit: Absolutisht i papranueshëm

Policia e Kosovës ka arrestuar sot një kameraman i cili ishte në detyrë gjatë intervenimit të policisë tek ish-zyret e “Agro Kosova Holding”, të cilat sot i kanë kaluar në pronësi AKP-së.

Arrestimi i kameramanit i cili ishte duke marrë pamje të zyrtarëve të AgroKosova Holding të cilët nuk po lironin zyrat e objektit, ka nxitur reagime të shumta në opinion.

Ekspertja ligjore për media, Flutura Kusari, përmes një statusi në Facebook ka thënë se arrestimi i kameramanit të “Ekonomia Online” është absolutisht i papranueshëm.

“Qysh arrestohet kameramani more? Qysh kështu? A e dini në cilat shtete arrestohen kameramanët? E pashë videon, djali ke tu vepru në pajtim të plotë me etikën e mediave. Një grup i madh i policëve me forcë e larguan nga vendi i ngjarjes, sikur ai të ishte ndonjë mafioz me rrezikshmëri të lartë. Policët s’guxojnë me gisht mi prek gazetarët dhe kameramanët kur janë duke e kryer detyrën”, ka shkruar ajo në Facebook, transmeton lajmi.net.

Kusari ka thënë se ky veprim është turp për policinë.

Ajo ka thënë se Drejtori i Policisë së Kosovës duhet të japë llogari të detajuar se përse policët e tij i pengojnë mediat.

“Inspektorati Policor i Kosovës duhet të reagojë urgjentisht ex-officio”, ka shkruar ajo.