Ekzekutimi me snajper i Kastriot Reçit në mes të Rrëshenit, Klodiana Lala tregon detajin që habiti hetuesit

Gazetarja Klodiana Lala ka treguar detaje të reja mbrëmjen e sotme, në lidhje me ekzekutimin mafioz të Kastriot Reçit në mes të Rrëshenit pak ditë më parë. Sipas Lalës, në apartamentin ku është kryer qitja është gjetur planimetria e pallatit 9 katësh, e gjitha në gjuhë të huaj.

Gjetja e planimetrisë në gjuhë të huaj dhe e të gjitha instruksioneve të tjera për ngjitjen në apartamentin numër 28 të këtij pallati, shton dyshimet se qitësi ka qenë profesionist dhe i ardhur nga jashtë vendit.

“Kastriot Reçi i kishte shumë të rralla lëvizjet. Ishte i ruajtur, nga njerëz të afërt të tij ndaj dhe është bërë një atentat i tillë. Në banesë është një kanatiere e grisur, një pako me kikirik dhe planimetria e apartamentit e shkruar në gjuhë të huaj. Mënyra se si ngjitesh dhe gjithë planimetia është në gjuhë të huaj. Më pas autori e ka hedhur armën e krimit disa metra larg vendit ku qëndronte. Ka hequr rrobat dhe i ka hedhur poshtë urës tek tregu i fruta perimeve”, ka thënë ndër të tjera gazetarja Klodiana Lala në emisionin Opinion.