Emërohet drejtoresha e re e Tatimeve

Delina Ibrahimaj është emëruar në krye të Drejtorisë së Tatimeve pas shkarkimit të Enton Duros, që qëndroi në detyrë vetëm 3 muaj dhe u lirua si pasojë e ngërçit te hetimi tatimor dhe evazionit fiskal. Kryeministri Rama paralajmëroi se ky është vetëm fillimi i ndryshimeve në këtë drejtori. 

“Kemi vendosur të ndryshojmë drejtuesin e përgjithshëm. Zonja Ibrahimi që deri dje ka drejtuar INSTAT-in do drejtojë tatimet po ky është vetëm fillimi i një procesi ndryshmesh në gjithë hierarkinë, bazuar vetëm mbi një faktor, rezultati. Rezultati ka qenë pika kyce për drejtuesin e deridjeshëm, rezultati është pika kyce për drejtuesen e re, dhe duhet të jetë pika kyce për cdo drejtues në cdo nivel. Është koha për të dhënë qartësisht me veprim mesazhin se informaliteti nuk do të tolerohet më tutje.

Situata politike e gjithë 6 mujorit të parë ka qenë në disfavor të punës suaj, performancës së shtetit, dh në këtë aspekt mund të ketë hapësirë për një mirëkuptim me bizneset dhe konsumatorët por nuk është i mirëkuptuar asnjë drejtues i administratës tatimore që nuk përmbush objektivin e rezultatit të përmuajshëm. Nuk është i mirëkuptuar asnjë punonjës, asnjë inspektor terreni që nuk përmbush objektivin e përmuajshëm dhe nuk do të ketë mirëkuptim për asnjë syresh” tha Rama.

Por kush është drejtoresha e re? Delina Ibrahimaj që sot ka marrë drejtimin e Tatimeve në Shqipëri vjen nga INSTAT-i. Në vitin 2016 ajo u emërua në postin e drejtorit të përgjithshëm të Institutit të Statistikave. Ibrahimaj mban gradën doktor në Bankë dhe Financë nga Universiteti i Romës, Tor Vergata.

Ajo ka punuar në Bankën e Shqipërisë dhe më pas kaloi në Kryeministri, si koordinatore për krijimin e një sistemi të integruar shkëmbim informacionesh dhe statistikash operacionale mes instituteve shtetërore. Më pas u emërua në krye të INSTAT-it dhe sot mori drejtimin e institucionit të Tatimeve.

Shqiptarja.com