Abdixhiku prezanton planin 10 pikësh të LDK-së për krizën energjetike: Paketë subvencionimi për çdo familje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë një video-adresim për qytetarët në lidhje me krizën energjetike.

Abdixhiku ka thënë se qeveria është treguar e paaftë të menaxhojë këtë krizë, ndaj ka planin 10 pikësh të subjektit të tij për dalje nga kriza.

“Kriza energjetike vazhdon të godasë vendin tonë rëndë e ne kemi nevojë për veprim të menjëhershëm shtetëror. Mesazhi im për masat që duhet të ndërmirren që sot dhe planin tonë 10 pikësh të prezantuar tashmë”, thotë Abdixhiku.

Aty përmenden subvencionimi për familjet, rishikimi i tarifave, heqja e TVSH-së, e të tjera.

“Plani bën fjalë për paketë të re subvencionimi për çdo familje kosovare, ekzekutim të mjeteve të zotuara nga viti paraprak, rishikim të tarifave diskriminuese të tanishme, kontrata afatgjate furnizimi, heqje të TVSH-së në të gjitha faturat e energjisë. Ne i kërkojmë Qeverisë të asistojë familjet kosovare në sigurimin e përballueshëm të resurseve alternative të ngrohjes çmimi i të cilave pothuajse është trefishuar tashmë. Mbi të gjitha, riparimi i Bllokut A5 në KEK nuk duhet të presë as edhe një ditë”, theksoi ai në 10 pikat.