Enver Hoxhaj: Vjosa Osmani është përçarëse, nuk përfaqëson unitetin ndaj ne nuk e votojmë

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, po e quan figurë përçarëse, deputeten e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin, njëherit kanidate për Presidente të Kosovës.

Hoxhaj madje ka përsëritur qëndrimin e subjektit që drejton, se nuk kanë votë për Vjosa Osmanin, për ta bërë president.

”Partia Demokratike e Kosovës nuk ka votë për Vjosa Osmanin për presidente të ardhshme të Kosovës. Ajo është treguar një figurë përçarëse, aspak përbashkuese dhe nuk e përfaqëson unitetin e popullit. Duke qenë e motivuar partiakisht dhe që pëfaqëson interesat e vetëm një partie dhe liderit të saj, znj. Osmani nuk mund të jetë aspak e denjë për pozitën e presidentes.

PDK-ja nuk do ta tradhëtoj besimin e votuesve të saj. Ne jemi partia e vetme në opozitë që do ta ballafaqojmë deri në fund pushtetin e ri, do t’i përfaqësojmë qytetarët e Kosovës dhe do ta mbajmë përgjegjëse për çdo premtim e vendim. PDK sikurse e kemi thënë gjatë zgjedhjeve, do të jetë fronti i vetëm politik në Kosovë kundër boshtit populist të përfaqësuar nga z. Kurti”./Fokusi.info/