Erdhi Dita | Fundi i mashtrimit të madh që ngulfati Kosovën, por mungon kërkimfalja e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes

Kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij nuk po fshihen më prapa fjalëve të sofistikuara, por tashmë e zyrtarizuan se e kanë pranuar themelimin e Zajednicës.

Kryeministri Albin Kurti është opozitari i dikurshëm që për një dekadë ushtroi dhunë mbi institucionet e Republikës së Kosovës, me pretekstin se po e ndalon një projekt të rrezikshëm për shtetin, shkruan Demokracia.com.

Duke e drejtuar subjektin politik opozitar, Lëvizjen Vetëvendosje, si dhe përdorur dhunën si mjet politik, për një dekadë Kurti dhe Vetëvendosje bllokuan zhvillimin normal të Republikës së Kosovës dhe proceset e saj integruese.

Kurti, Konjufca dhe drejtues tjerë të Vetëvendosjes, kanë qenë në ballë të opozitarizmit të dhunshëm në shtetin e sapoformuar të Kosovës, fati i të cilit është i lidhur domosdoshmërisht me konsolidimin në arenën ndërkombëtare.

Sot, Republika e Kosovës është mbrapa në zhvillimin e saj të brendshëm, por edhe në konsolidimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, edhe për shkak të kësaj bllokade njëdekadëshe.

Kurti, Konjufca dhe Vetëvendosje, nuk kanë pranuar të dëgjonin për asnjë moment shpjegimet e të tjerëve, qofshin vendorë apo ndërkombëtarë. E vërteta u takonte vetëm atyre dhe sipas tyre politikanët tjerë po kryenin tradhti.

Duket ironike, por bllokuesit e këtij zhvillimi kanë hyrë në zyret më të rëndësishme të shtetit dhe marrin rroga të majme e gëzojnë beneficione të mëdha që ua ofron shteti që e bllokonin.

Por, pas bllokadës njëdekadëshe, me arsyetimin se po bllokojnë një projekt të rrezikshëm kundër Republikës së Kosovës, siç është Zajednica / Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, ata kanë vendosur që të kujdesen më shumë për fatin e tyre personal politik sesa (gjithnjë sipas këndvështrimit të tyre të dikurshëm) për atë të Kosovës, pikërisht tani kur kanë pushtetin.

Beneficionet që ofron zyra e shtetit i ka bërë “të harrojnë” paralajmërimet e dikurshme dhe tani Zajednica nuk është një projekt i rrezikshëm, prandaj edhe kanë pranuar ta themelojnë.

Kurti, Konjufca dhe të tjerët afër tyre që mbajnë përgjegjësi të madhe kombëtare për bllokimin e zhvillimit të Republikës së Kosovës, tani po e pranojnë se Marrëveshja e 2013-es për Asociacionin, e kohës së ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ishte më e mirë dhe sillte njohjen de-facto të Republikës së Kosovës nga Serbia. Përmes një interviste dhënë në media, Konjufca ka treguar se Kurti nuk i ka ikur rrugës së ish-kryeministrit Thaçi kur pranoi Marrëveshjen Bazë në Bruksel (27 shkurt 2023) dhe pjesën integrale të saj, Aneksin e Ohrit (18 mars 2023) për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Përpjekja e tyre, sipas Konjufcës, është që ta ruajnë atë që është arritur në 2013-en dhe të mos japin asgjë më shumë, ndonëse tanimë e kanë pranuar që serbëve t’u mundësohet edhe vetëmenaxhimi.

Kurti dhe Konjufca kanë qenë në ballë të opozitarizmit të dhunshëm në shtetin e sapothemeluar të Kosovës. Vetëm fjala e tyre ishte e vërteta, sepse, po sipas tyre, të tjerët po mashtronin dhe po tradhtonin shtetin e Kosovës.

“Ta pranosh Zajednicën është serbofili”, “Zajednica e sjell Rusinë të Ura e Ibrit [në Mitrovicë]”, “Zajednica është e keqja më e madhe e Kosovës së pasluftës”, “Zajednicën nuk mund ta pranojë dikush i cili nuk është serbofil”, “Zajednica është një kthim i Serbisë, e cila do të na e sjellë luftën për brezin e ardhshëm”, “Kur bëhen bashkë këto 10 komuna, një shtet brenda shtetit, atëherë fëmijët tanë luftën e kanë te dera”, “Zajednica e instaluar në Kosovë nuk do të mund të hiqet pa gjakderdhje të reja”, janë përmbledhjet e qindra deklaratave të dhëna nga Kurti e Konjufca gjatë kohës sa bllokonin Kosovën.

Shoqëria kosovare duhet të çlirohet nga ankthi i Zajednicës.

Albin Kurti, Glauk Konjufca e Vetëvedosje – kanë përgjegjësinë e madhe shtetërore dhe kombëtare të mos fshihen prapa kalkulimeve të politikës ditore, por t’u flasin me sinqeritet qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Albin Kurti, njeriu që mbajti fjalime të zjarrta kundër Zajednicës, të cilën tani e ka pranuar në Bruksel e Ohër, pas kthimit nga Brukseli, duhet ta përgatisë edhe fjalimin e kërkimfaljes publike për dhimbjet e mëdha që për një dekadë ia shkaktoi Kosovës. /Demokracia.com/